UBT News

Hapësira e mundësive: Panairi i kompanive austriake në UBT

Ditën e enjte, kampusi inovativ i UBT-së u hapi dyert për mbi 20 kompanive austriake, duke organizuar një panair të rëndësishëm që bashkoi studentët dhe të diplomuarit në mundësi të reja profesionale. Ky eveniment ofroi një platformë të shkëlqyer për të prezantuar mundësitë e punës, për të ndarë përvoja dhe për të krijuar kontakte të vlefshme në një ambient të ngrohtë dhe mbështetës. Në këtë mënyrë, panairi shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të karrierave të suksesshme për të rinjtë kosovarë.

Panairi u hap në Bibliotekën e UBT-së, ku drejtori i Qendrës së Karrierës në UBT, Halil Bashota, ju drejtua studentëve dhe pjesëmarrësve, të cilët ishin në numër të madh. Duke i uruar të gjithëve mirëseardhje, Bashota vazhdoi të fliste për rëndësinë e këtij panairi, i cili ofron të rinjve kosovarë mundësinë për të përjetuar një eksperiencë të mirë dhe profesionale në botën evropiane.

Pas tij, Wilhelm Nest, drejtor i Advantage Austria theksoi rëndësinë e ndërlidhjes mes studentëve dhe tregut të punës në Austri. Ai ofroi një pasqyrë mbi jetën dhe mundësitë e punësimit në Austri, duke nënvizuar avantazhet që ky vend ofron për të rinjtë.

Mathias Bertsch përfaqësues në Wirtschafts-Standort Vorarlberg, Betriebsansiedlungs GmbH (WISTO), prezantoi mundësitë e jetës dhe punës në Vorarlberg, duke ndarë informacione të vlefshme mbi sektorët e zhvilluar dhe kërkesat për punë në këtë rajon.

Po ashtu, Simone Weiss dhe Jana Falkner përfaqësues nga Innovation Salzburg GmbH, paraqitën ofertat e punës në Salzburg, duke ofruar një pamje të qartë mbi mundësitë që ky qytet ofron për profesionistët e rinj.

Pas prezantimeve profesionale, në hollin e UBT-së u bashkuan të gjithë pjesëmarrësit dhe studentët për tu informuar në detaje me përfaqësuesit e kompanive austriake. Çdo kompani pjesëmarrëse kishte një shtand/tavolinë të caktuar, ku qëndronin deri në dy përfaqësues dhe ekspozonin materialet promovuese, përfshirë roll-ups, broshura, dhurata dhe informacion rreth mundësive të punës. Kjo u ofroi kompanive mundësinë për të prezantuar kompanitë dhe për të tërhequr interesin e studentëve.

Panairi përfshinte takime të planifikuara mes studentëve dhe të diplomuarve me përfaqësuesit e kompanive. Studentët ishin të inkurajuar të sillnin CV-të e tyre për të pasur një mundësi më të mirë për të diskutuar rreth mundësive të punës dhe për të ndarë informacionin e tyre profesional.

Ky panair krijoi mundësi unike për të prezantuar ofertat e kompanive austriake për studentët e UBT-së. Ngjarja ndihmoi studentët të identifikonin mundësitë e punës dhe të zhvillonin lidhje me punëdhënësit potencialë. Evenimenti përfundoi me një koktej të organizuar për studentët dhe stafin e UBT-së, një moment i shkëlqyer për të diskutuar dhe ndarë përvoja, si dhe për të forcuar marrëdhëniet mes studentëve dhe përfaqësuesve të kompanive.

Panairi i sotëm ishte një hap i rëndësishëm për të mbështetur studentët në kërkimin e mundësive të punës dhe për të ndihmuar në krijimin e një rrjeti profesional./UBTNews/D.E.

Exit mobile version