UBT në kuadër të zhvillimit të ekosistemit inovativ, ka hapur zyrtarisht zyret e Parqeve të Kosovës për Shkencë, Teknologji dhe Inovacion (PKSTI), në Prishtinë.
Me këtë rast, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se kjo është një nisje shumë e rëndësishme për shkencën, teknologjinë dhe inovacionin në Kosovë, duke u mbështetur në njërin prej parqeve më inovative që ka vendi – Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan.
“Ky është një projekt dhe fillim i mbarë për Kosovën dhe fushat më të rëndësishme që janë gjithnjë në zhvillim e sipër, pra për shkencën, teknologjinë dhe inovacionin. Me Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, ne do të vazhdojmë të japim kontribut të madh në këto fusha, për të promovuar dhe gjeneruar vlera dhe për të qenë afër industrisë, institucioneve dhe palëve të tjera të interesit, duke qenë zhvillues dhe kreativ, si dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe social”, ka thënë rektori Hajrizi.
Përmes parqeve shkencore dhe inovative, UBT synon që të nxisë rritjen e ekonomisë, zhvillimin e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, duke u fokusuar në fushat që janë në zhvillim e sipër, e që do të mbështeten nga UBT si institucion lider i arsimit të lartë.
UBT është i vetmi institucion i arsimit të lartë në Kosovë dhe në rajon, që ka ndërtuar një Park Shkencor Inovativ, të bazuar në një infrastrukturë moderne me standardet më të mira evropiane dhe amerikane, dhe i cili i jep mundësi studentëve dhe nxënësve të përforcojnë dhe përfitojnë njohuritë e nevojshme për të qenë profesionistë të së ardhmes.