UBT News

Hamza tregon se çka bisedoi me Lajçakun

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza u shpreh se me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak biseduan për situatën e përgjithshme në Kosovë. Ai tha se folën edhe për çështjen e dialogut, për zhvillimet që janë duke ndodhur në Kosovë dhe posaçërisht në veri.

Hamza tregoi se me Lajçakun diskutuan edhe për çështjen e rihapjes së Urës së Ibrit si dhe për progresin e arritur gjatë viteve.

“Gjjithsesi se ka qenë temë çështja e Urës së Ibrit dhe nevoja që të respektohet dhe zbatohet Kushteuta e të gjitha ligjet në fuqi që garantojnë lirinë e të gjithë qytetarëve, mallrave dhe gjithçka tjetër. Kemi bisedu edhe për progresin e arritur gjatë këtyre viteve, por edhe për ndjeshmërinë që ndodhet në këtë pjesë dhe është prezent në këtë pjesë të Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, duhen veprime që të krijohen kushte që të ketë liri për lëvizjen e qytetarëve pa pengesave dhe mallrave normalisht.

Hamza foli edhe për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është prezantuar në takimin e 2 majit në Bruksel nga kryeministri Albin Kurti.

“Tash është prezantu një draft-statut, i cili sipas të gjitha gjasave është një dokument që është diskutu, por jo diçka ma shumë. Ka opsione të ndryshme dhe sigurisht që këto çështje kanë me u definu në ditët në vijim dhe të ardhmen. Është prezantu një dokument tash ta them të drejtën a ka qenë rruga për me shku deri aty unë i kam pikëpyetjet e mia, por është një diçka që ka me ndodhë në progres”, shtoi ai.

Kujtojmë që në Bruksel më 2 maj, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit. Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.

Exit mobile version