Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se po zhvillojnë bisedime për koalicione të mundshme me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate dhe parti të tjera. Ai theksoi se deri tani nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në një konferencë për media, Hamza sqaroi se aktualisht nuk ka asnjë vijë të kuqe për asnjë parti dhe se është në fazën e diskutimeve për formën e mundshme të qeverisë, veçanërisht me LDK-në. Ai shtoi se Kosova ka nevojë për institucione të forta, duke u fokusuar në stabilitetin politik dhe gjeopolitik të vendit. Hamza gjithashtu u shpreh i gatshëm të marrë përgjegjësitë si kryeministër, nëse partia e parë nuk arrin të formojë qeverinë.
Në përputhje me procesin e zgjedhjeve, Hamza ka dorëzuar kërkesën për të hequr dorë nga mandati i deputetit dhe do të zëvendësohet në Kuvend nga kandidati Rashit Qalaj. Kjo ka ndodhur pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve./UBTNews/