Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka kritikuar partitë politike pas dështimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke thënë se po thellohet vakuumi institucional në vend.
Hamza tha se PDK-ja e ka bërë të qartë qëndrimin e saj dhe ka kërkuar respektimin e Kushtetutës, Rregullores së Punës së Kuvendit dhe vendimit të Gjykatës Supreme.
“E kemi thënë qartë se nuk është respektu dhe s’po respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, nuk po respektohet Rregullorja e Punës së Kuvendit, nuk po respektohet vendimi i Gjykatës Supreme”, tha Hamza.
Ai kritikoi veçmas Listën Serbe dhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke i akuzuar se përmes veprimeve të tyre po e dëmtojnë vendin dhe qytetarët.
“Qoftë Lista Srpska, qoftë ndonjë parti tjetër politike, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, janë tu i bë dëm vendit. Janë tu i dëmtu qytetarët e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.
Hamza tha se, sipas tij, janë plotësuar kushtet ligjore që çështja të referohet edhe në organet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.
“Të gjitha kushtet legale, ligjore janë të plotësuara që rasti të referohet edhe në organet e drejtësisë, kjo përfshin edhe Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.
Kreu i PDK-së shtoi se partia e tij nuk i përjashton veprimet ligjore, kushtetuese dhe politike, duke theksuar se ato do të ndërmerren brenda rregullave ligjore dhe demokratike./A.K/
