UBT News

​Hamza: Nuk ka marrëveshje PDK-VV për datën e zgjedhjeve

Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza ka paralajmëruar se Grupi Parlamentar i kësaj partie do të votojë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, teksa ka mohuar se kryeministri Albin Kurti dhe kryetari Memli Krasniqi janë dakorduar për datën e zgjedhjevetë parakohshme.

Hamza në një konferencë për media tha se propozimi i tij për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ka marrë mbështetjen e Grupit Parlamentar dhe Kryesisë së PDK-së, pasi ajo do të sjellë më shumë investime në Kosovë.

“PDK do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Për mua si kandidat për kryeministër, prioritetet janë të qarta. Fillimisht interesi i vendit, pastaj i partisë politike dhe në fundi i yni si individë brenda partisë politike, por mbi të gjitha e përtej të gjithave interesi i qytetarëve të vendit. Fatkeqësisht, Kosova është nën masa dhe janë qindra miliona euro të bllokuara”, tha ai.

Hamza tha se duhet të kthehet optimizmi te qytetarët dhe të krijohet klima e mirëbesimit nga investitorët ndërkombëtarë për të krijuar vende të reja pune dhe përmirësim të standardit të jetesës.

“Standardi i jetesës së qytetarëve tanë është rënduar viteve të fundit si rezultat i ngritjes enorme të çmimeve, e cila nuk ka qenë e përcjellë me ngritjen e të ardhurave. Këto trende duhet të ndalohen, duhet të punojmë në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve tanë. Do të vazhdojmë të ballafaqohemi me rrezikun më të madh që ka Kosova, e që është emigracioni. Nëse e humbim fuqinë punëtore, kapitalin, vajzat, djemtë e rinj, burrat, gratë, personat e kualifikuar, atëherë ky do të jetë një dëm i madh për vendin”, tha Hamza.

I pyetur nëse është vendosur për datën e mbajtjes së zgjedhjeve së parakohshme në takimin Kurti-Krasniqi të hënën, të cilën e refuzuan AAK e LDK, Hamza tha se nuk qëndron një gjë e tillë.

Exit mobile version