Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se është takuar para dy ditësh me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa pas këtyre diskutimeve është miratuar themelimi i grupit punues për hartimin e një strategjie shtetërore për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë në shkallën e Apelit.
Hamza e ka vlerësuar këtë si një hap të mirë, duke theksuar se Kosovës i duhet një strategji e mirëfilltë shtetërore për këtë çështje.
Ai ka folur edhe për ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, duke thënë se ato nuk janë bërë për të kënaqur palë të caktuara, por për të garantuar drejtësi dhe pavarësi.
“Ligjin nuk e kemi bërë për t’u pëlqyer, e kemi bërë për të garantuar drejtësi dhe pavarësi nga ndikimi i çdo pale”, ka deklaruar Hamza.
Kreu i PDK-së ka theksuar se Kuvendi i Kosovës ka të drejtë të hartojë dhe miratojë ligje që i konsideron të rëndësishme për mbrojtjen e vlerave të vendit dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, shqetësimi kryesor duhet të lidhet me trajtimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe jo me nismat ligjore të Kuvendit.
Hamza ka shprehur gjithashtu besimin se presidentja do ta dekretojë ligjin pa vonesa, pasi, sipas tij, dita e sotme është afati i fundit ligjor për procedimin e tij për dekretim./A.K/
