Njohësi i çështjeve politike, Lavdim Hamidi thotë se në këtë vit do të ketë zgjedhje në Kosovë. Hamidi thekson se kryeministri Kurti po synon të marrë edhe një mandat tjetër, por sipas tij do të jetë e vështirë ta ketë fuqinë e njejtë si në zgjedhjet e 2021-tës.
“Ky vit do të jetë zgjedhor dhe kjo qeveri e ka të pamundur të zgjasë edhe më shumë. Do të ketë zgjedhje sepse edhe Kuvendi nuk funksionon si duhet dhe kryeministri synon ta marrë edhe një mandat të ri”, tha Hamidi.
“Sa do të arrijë që ta ketë fuqinë e njejtë që e ka marrë edhe në vitin 2021 kjo mbetet të shihet, por këtë vit do të kemi zgjedhje në Kosovë”, shtoi ai.
Hamidi shton se, në zgjedhjet e reja VV’ja do të jetë e varur nga një parti opozitare sepse nuk do të mundet t’i formojë institucionet e vetme.
“Vetëvendosja mund të jetë partia e parë, por jo siç kanë dalë sondazhet e fundit. Në zgjedhjet e reja, VV’ja nuk do të mundet t’i formojë institucionet e vetme dhe do t’i duhet një subjekt tjetër parlamentar për të bërë koalicon, do të jetë e varur nga një nga partitë opozitare”, tha Hamidi.