Zyrtari i Hamasit, Tahir al-Nunu tha se rezistenca e armatosur është e drejtë e popullit palestinez për sa kohë që ekziston pushtimi. Sipas tij, nëse populli palestinez çlirohet dhe krijohet një shtet palestinez, atëherë nuk do të ketë nevojë për rezistencë apo armë, dhe kjo do të jetë pjesë e entitetit palestinez.
“Tony Blair është një figurë e papranueshme për popullin tonë. Ne kemi pranuar formimin e një komiteti që nuk përfaqëson asnjë fraksion palestinez për të menaxhuar punët e Gazës pas luftës dhe nuk do të pranojmë imponimin e tutelës së huaj mbi popullin tonë”, tha al-Nunu.
“Populli ynë është plotësisht i aftë të menaxhojë punët e veta”, vazhdoi ai.
Presidenti Donald Trump tha të hënën se është koha që Hamasi të bjerë dakord për një marrëveshje paqeje, ndërsa përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje shumëplanëshe për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të filluar rindërtimin e rajonit.
Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se mbështet planin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, duke e quajtur atë një “hap kritik” drejt përfundimit të luftës dhe arritjes së paqes në Lindjen e Mesme./S.K/KP/