Hamasi ka pranuar planin e armëpushimit të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për luftën në Rripin e Gazës, por ka paraqitur disa kërkesa shtesë. Këto kërkesa përfshijnë përfundimin e përhershëm të armiqësive, tërheqjen e forcave izraelite, rindërtimin e Gazës dhe lirimin e të burgosurve palestinezë nga Izraeli.
Egjipti dhe Katari, që janë ndërmjetësit e këtij plani, kanë pranuar përgjigjen e Hamasit, por nuk kanë zbuluar detajet e përmbajtjes së saj. Një zyrtar i lartë i Hamasit e ka cilësuar përgjigjen e grupit si “përgjegjëse, serioze dhe pozitive”, duke theksuar se është një hap drejt një marrëveshjeje.
Izraeli, nga ana e tij, ka pranuar propozimin e SHBA-së, sipas deklaratave amerikane, megjithatë nuk ka bërë një deklaratë publike mbi këtë çështje. Izraeli ka vazhduar sulmet në Gaza, ndërsa kryeministri Benjamin Netanjahu ka thënë se Izraeli nuk do të ndalet para se të eliminojë Hamasin.
Ndërkohë, një zyrtar izraelit ka deklaruar se Hamasi ka refuzuar propozimin për lirimin e pengjeve të paraqitur nga Presidenti Biden. Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka votuar në favor të një rezolute të SHBA që mbështet armëpushimin dhe lirimin gradual të pengjeve izraelite në Gaza në këmbim të palestinezëve të burgosur në Izrael, duke synuar përfundimin e luftës./UBTNews/