UBT News

Hamasi pranon marrëveshje për çarmatim, Trump e cilëson hap historik drejt paqes në Gaza

Hamasi ka pranuar një marrëveshje për çarmatimin e plotë të tij dhe të grupeve të tjera të armatosura në Rripin e Gazës, sipas njoftimeve të presidentit amerikan, Donald Trump.

Trump e ka cilësuar marrëveshjen si një “hap historik” drejt paqes dhe sigurisë, duke bërë të ditur se zbatimi i saj do të zhvillohet në disa faza. Sipas tij, pas përfundimit të procesit të çarmatimit, forcat izraelite do të tërhiqen gradualisht nga territori palestinez.

Në bazë të planit, Hamasi dhe fraksionet e tjera do t’ia dorëzojnë armët një komiteti kombëtar palestinez, ndërsa procesi do të monitorohet nga një mekanizëm ndërkombëtar verifikimi.

Pas kësaj, një Forcë Ndërkombëtare e Stabilizimit dhe një forcë e re policore palestineze pritet të marrin përgjegjësinë për sigurinë në Gaza.

Megjithatë, zyrtarët izraelitë kanë shprehur skepticizëm nëse Hamasi do ta zbatojë marrëveshjen, ndërsa përfaqësues të grupit palestinez kanë deklaruar se çarmatimi nuk do të nisë pa tërheqjen e ushtrisë izraelite dhe përmbushjen e detyrimeve të marrëveshjes.

Trump ka falënderuar Egjiptin, Katarin dhe Turqinë për rolin e tyre në ndërmjetësimin e bisedimeve, duke e përshkruar marrëveshjen si një pikë kthese në zbatimin e planit të tij 20-pikësh për paqen në Gaza./A.K/

Exit mobile version