Hamasi, organizata militante palestineze në Rripin e Gazës, ka refuzuar propozimet e paraqitura në raundin e fundit të bisedimeve indirekte me Izraelin për një armëpushim. Në një deklaratë të lëshuar dje, Hamasi akuzoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për vendosjen e pengesave ndaj një marrëveshjeje të mundshme.
Deklarata e Hamasit është bërë pas raundit të bisedimeve që u zhvillua në Doha, të enjten dhe të premten e kaluar. Hamasi nuk mori pjesë në këto bisedime, por ishte informuar nga ndërmjetësit mbi rezultatet. Organizata ka akuzuar Netanyahu për paraqitjen e kushteve dhe kërkesave të reja me qëllim që të minojë përpjekjet e ndërmjetësve dhe të zgjatë luftën.
Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara janë duke ndërmjetësuar në këto bisedime, që gjithashtu synojnë të ndihmojnë në lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi./UBTNews/