Halyna Hutchins, kinematografja që u vra aksidentalisht nga aktori Alec Baldwin gjatë xhirimeve të filmit “Rust” të enjten, konsiderohet “artiste e jashtëzakonshme”. Ajo ishte drejtoreshë e fotografisë në xhirimet e filmit “Rust”.
Revista amerikane e kinematografëve e përshkroi atë si yll në rritje në vitin 2019, dhe ajo në vitin 2020 punoi edhe në filmin “Archenemy”.
Regjisori i filmit “Archenemy”, Egypt Mortimer i tha BBC News se fakti që ajo vdiq në xhirime “është i pabesueshëm”.
“Halyna ishte një artiste e jashtëzakonshme që sapo filloi karrierën e saj. Mendoj se njerëzit me të vertetë filluan ta vërenin atë. Fakti që ajo do të vritej në xhirime në një incident si ky është i pakuptueshëm. Thjesht duket e paimagjinueshme”, deklaroi ai.
Alex Fedosov, një tjetër regjisor ukrainas që punon në Hollywood, tha se Hutchins “po rritej shpejt në karrierën e saj” dhe ishte “një artiste dhe vizionare”.
“Ishte shumë e talentuar, një drejtoreshë e fotografisë me vizionin e saj, idetë e saj të fuqishme”, i tha ai BBC-së.
Fedosov shtoi se Hutchins ishte një “nënë e mrekullueshme, para së gjithash”.
Hutchins u lind në Ukrainë në vitin 1979 dhe u rrit në një bazë ushtarake sovjetike në Rrethin Arktik. Ajo hyri në industrinë e filmit pasi mori një diplomë në gazetari ndërkombëtare nga Universiteti Shtetëror i Kievit. Pasi punoi në filma dokumentarë në Mbretërinë e Bashkuar, ajo u zhvendos në Los Angeles, ku u diplomua në Konservatorin e Institutit Amerikan të Filmit në vitin 2015.
Ajo filloi të ngjitej në Holliwood me shumë filma, përfshirë edhe “Blindfire”, një dramë policore, që u shkrua dhe u drejtua nga Mike Nell./UBTNews