UBT News

Halsey përfundon në urgjencë pas koncertit në Boston

Halsey është shtruar në urgjencë pas një problemi shëndetësor që ndodhi pas koncertit të saj në Boston.

Artistja 31-vjeçare njoftoi përmes Instagram-it se kaloi gjithë natën nën kujdesin e mjekëve deri në orën 6 të mëngjesit, por megjithatë vendosi të mos anulojë performancën e radhës në MGM Music Hall.

“Pas shfaqjes së djeshme përfundova në urgjencë deri në mëngjes, por tani ndihem shumë më mirë dhe jam gati të ngjitem sërish në skenë sonte!”, shkroi ajo në rrjete sociale, duke falënderuar publikisht stafin e Mass General Hospital për përkujdesjen e tyre, sipas Daily Mail.

Edhe pse nuk zbuloi detaje mbi gjendjen e saj aktuale, këngëtarja ka folur hapur për sfidat shëndetësore që ka përjetuar.

Në vitin 2022, ajo tregoi se ishte diagnostikuar me lupus SLE dhe një çrregullim të rrallë të qelizave T, ndërsa në shtator të vitit të kaluar kishte përfunduar një trajtim me kimioterapi.

Aktualisht, ndodhet në mesin e turneut “Back to Badlands”, me koncerte në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Australi. Halsey ka theksuar se ky turne përfaqëson një rikthim emocional tek fillimet e saj artistike dhe reflektim mbi rritjen e saj personale ndër vite. /A.Z/UBT News/

 

 

Exit mobile version