UBT News

​Hakohet Ministria e Brendshme e Francës

Ministria e Brendshme e Francës ka qenë shënjestër e një sulmi të madh kibernetik që zgjati disa ditë, gjatë të cilit llogaritë e email-it të punonjësve u kompromentuan dhe u qasen dosjet e ndjeshme të policisë, njoftoi sot ministri i Brendshëm Laurent Nunez.

Në një intervistë me Franceinfo, ministri Nunez tha se një hetim gjyqësor është duke u zhvilluar me qëllim gjetjen shumë të shpejtë të autorit të krimit.

Sipas tij, sulmuesit arritën të qasen në disa kuti profesionale email-i dhe kështu të marrin kode aksesi. Kjo u lejoi atyre të kërkonin në një numër bazash të dhënash të rëndësishme të policisë, duke përfshirë Sistemin e Përpunimit të të Dhënave Penale (TAJ) dhe Regjistrin e Personave të Kërkuar (FPR).

Edhe pse sulmi është konfirmuar, shkalla e saktë e dëmit është ende e paqartë.

Ministria, e cila punëson pothuajse 300,000 njerëz, nuk ka marrë asnjë kërkesë për shpërblim. Nunez ia atribuoi shkeljen “neglizhencës” së individëve brenda ministrisë, pavarësisht paralajmërimeve të rregullta në lidhje me procedurat e sigurisë.

“Duhen disa individë për të mos ndjekur këto rregulla,” tha ai.

Javën e kaluar, media raportoi për aktivitet të dyshimtë në serverë të ministrisë, pas së cilës grupi i hakerëve pretendoi, pa dhënë prova, se kishte qasje në të dhënat e më shumë se 16 milionë njerëzve.

“Kjo është e rreme,” tha Nunez duke shtuar se Komisioni Kombëtar për Informatikë dhe Liri (CNIL) është informuar për gjithçka, dhe Zyra Franceze për Luftimin e Krimit Kibernetik (OFAC) po udhëheq hetimin./S.K/EO/

Exit mobile version