Tensioni mbetet i lartë në Lindjen e Mesme, ndërkohë që diplomacia ndërkombëtare po punon për të ulur tonet dhe për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Frika nga një përgjigje iraniane ndaj Izraelit është ende e lartë, por zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë besojnë se përpjekjet e presidentit amerikan, Joe Biden për të frenuar Iranin pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran, po japin fryte dhe Republika Islamike mund të rishqyrtojë “hakmarrjen” e saj. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu gjatë një fjalimi në bazën e rekrutimit të ushtarëve, paralajmëroi se vendi I tij është gati për t’u mbrojtur dhe sulmuar.
“Ne po shkojmë drejt fitores. Unë e di që qytetarët e Izraelit janë në gatishmëri dhe ju kërkoj një gjë: qëndroni të qetë dhe të përmbajtur. Ne jemi të përgatitur si për mbrojtje ashtu edhe për sulm, ne po godasim armiqtë tanë dhe gjithashtu jemi të vendosur të mbrojmë vetë”, tha kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu i cili sot vizitoi bazën e rekrutimit të ushtrisë Tel Hashomer.
Duke folur para trupave, ai shprehu krenarinë e tij, që ushtarët i quanin “shtylla kurrizore e kombit”.
Fatkeqësisht, disa vende evropiane kanë heshtur në lidhje me veprimet terroriste të regjimit sionist dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar, dhe kjo ka bërë që arrogancën e bandës që qeveris Tel Avivin të rrisë dhe përhapë tensionin dhe pasigurinë në rajon. Kështu deklaroi ministri i jashtëm i përkohshëm iranian, Ali Bagheri , gjatë një bisede telefonike me homologun e tij austriak, Alexander Schallenberg.
“Pala evropiane praktikisht ka bllokuar të gjitha kanalet diplomatike duke mos dënuar agresionin e dukshëm terrorist të regjimit sionist dhe duke penguar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të marrë një vendim efektiv dhe parandalues kundër regjimit sionist”, shtoi kreu i Diplomacisë së Teheranit. Sipas raporteve nga qeveria iraniane, Schallenberg tha se “duke u kërkuar të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje, Austria nënvizon nevojën për të përdorur të gjitha aftësitë diplomatike për të minimizuar tensionet”./UBTNews/