Gjykata e Apelit ka vendosur ta ndryshojë aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë lidhur me masën e arrestit shtëpiak ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova dhe dhe ish-nënkryetarit të kësaj komune, Lulzim Blakaj.
Sipas njoftimit të Apelit, të pandehurve u është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
“Konkretisht atyre u është ndaluar që t’i afrohen një dëshmitari, në distancë më të afërt se 100 metra, e po ashtu iu është ndalur çdo komunikim më të. Më këtë aktvendim të pandehurve u bëhet me dije se në rast se e shkelin këtë masë, gjykata mund të urdhërojë paraburgimin.”, njofton Gjykata e Apelit.
Gjykata e Apelit vlerëson se edhe më këtë masë mund të arrihet qëllimi për të cilin është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
“Gjykata konsideron se nisur nga pesha e veprave penale, mënyra, rrethanat dhe koha në të cilën dyshohen të jenë kryer ato, masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit, është masë e mjaftueshme, për të zvogëluar rrezikun që të pandehurit të ndikojnë në prova ose dëshmitarë, apo edhe të kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.”, njofton Gjykata e Apelit.
Haki Rugova po dyshohet nga ana e prokurorisë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Konflikt i interesit” , “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe vepër penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Ndërsa L.B. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar.” Të gjitha këto të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës./UBTNews