Në një intervistë në “Rreth e Rrotull”, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, deklaroi se institucioni që ai drejton ka qenë themelues dhe udhëheqës i zhvillimeve më të rëndësishme teknologjike në Kosovë, duke përmendur se mbi 60% e profesionistëve të IT-ve në vend janë ish-studentë të UBT-së.
“Jemi krenarë kur shkojmë në bankat dhe institucionet kryesore dhe shohim menaxherët tanë, studentët tanë. Kur një student i yni krijon një kompani të suksesshme për siguri kibernetike dhe merr financim direkt nga SHBA, kjo flet vetë për suksesin tonë”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Ai theksoi se UBT nuk ka qenë thjesht një shkollë, por një institucion inovativ që ka krijuar struktura dhe ekosisteme për zhvillim ekonomik dhe teknologjik. “Kemi qenë të parët në robotikë, të parët që kemi sjellë Mekatronikën në Kosovë, kur as nuk kuptohej ende termi,” kujtoi Hajrizi.
Përpos arritjeve teknologjike, rektori theksoi rolin e UBT-së si një institucion me ndikim të madh në politikëbërje dhe zhvillim shoqëror.
“Ne bashkëpunojmë me qeverinë, me ministritë, me industrinë kreative dhe me bizneset, duke ofruar ekspertizë dhe duke ndërtuar ura të zhvillimit të qëndrueshëm”, tha ai.
Hajrizi përmbylli me një mesazh të fortë për rininë dhe institucionet: “Mos ndjeni inferioritet. Ne jemi të barabartë me botën dhe jemi këtu për ta ndërtuar Kosovën si një qendër të teknologjisë dhe inovacionit”.