Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se masat e reciprocitetit ndaj Serbisë janë duke u vendosur gradualisht. Ajo tha se reciprociteti do të thotë barazi dhe një gjë të tillë janë duke e bërë edhe me miratimin dhe rishikimin e ligjeve në fuqi.
Në një konferencë për medie, pas mbledhjes së qeverisë, Hajdari tha se masat e reciprocitetit nuk do të kenë efekt ditor, por pesëvjeçar. Prandaj, sipas saj duhet një gatishmëri më e madhe dhe një analizë më afatgjatë për veprimet e mëtutjeshme.
“Po do të vendosen dhe veçse janë duke u vendosur[masat e reciprocitetit]. Nëse e kuptoni konceptin reciprocitet, ai është barazi. Nëse e lexoni Ligjin për tregti të jashtme dhe brendshme që është në rishikim, Ligjin për masat anti-damping, ligjin për mbrojtje të importeve dhe konsumuarit, të gjitha e kanë parimin e barazisë dhe reciprocitetit. Pasi janë të bazuara në parimet bazë të Organizatës Botërore të Tregtisë, CEFTA dhe MSA-ja… Përgjigja ime është se kur do të jemi të gatshëm, në çdo vendim që iu thërras, ju tregoj se edhe ky vendim është për t’iu përshtatur reciprocitetit sepse është barazi. Ju kam ftuar në vendimet për masat anti-damping, vendimi për inicimin e hetimeve për sektorin e produkteve kondikturike. Këto vendime kanë efekt për 5 vite, nuk do të jetë reciprocitet ditësh, por pesë vite”, tha ajo.
Pjesë e kësaj konference ishte edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili dha detaje për ndarjen e 1.7 milion eurove për kompensimin e dëmeve në bujqësi.
“Ky është vendimi i dytë i qeverisë së Kosovës për kompensimin e dëmeve në bujqësi, pasi me vendimin paraprak para 4 muajsh kemi bërë kompensimin edhe të 1.3 milionë euro për periudhën kohore korrik – dhjetor 2020 në vlerë prej 30 për qind të vlerës totale. Gjithashtu gjatë mbledhjes së sotme, në kuadër të agjendës legjislative aprovuam pakon e 19 ligjeve që janë plotësim ndryshim të ligjeve që janë të rëndësishme në harmonizimin e Ligjit për kundërvajtje”, tha ai.
Qeveria në mbledhjen e sotme ndau 1.7 milionë euro si kompensim i dëmeve nga fatkeqësitë natyrorë në bujqësi, derisa miratoi edhe nismat për negocimin e marrëveshjeve për përfshirje të Kosovës në programe multilaterale.