UBT News

Hajdari: Ndoshta mund të shprehet nevoja për shqyrtim të TVSh-së dhe akcizës në karburante

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka apeluar tek qytetarët se s’ka vend për panikë për furnizim me grurë dhe karburante.

Në konferencën për medie, pas mbledhjes së qeverisë, Hajdari paralajmëroi kontroll më rigoroz të tregut të karburanteve pas ngritjes së çmimeve, derisa theksoi se disa tregtarë nuk po funksionojnë në konkurrencë të shëndoshë. Megjithatë e la si mundësi të hapur që të ardhmen të diskutohet nevoja për shqyrtim të TVSh-së dhe akcizës në karburante.

“Është rrugë e lirë nga Shqipëria, është rrugë e lirë nga Maqedonia e Veriut, ndoshta javën e kaluar kishte ngadalësim nga Shqipëria, por me autoritetet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut jemi siguruar se s’ka vend për t’u shqetësuar dhe manipuluar në treg se s’ka stoqe […] Jam e njoftuar nga sinjalizuesit se shpesh disa tregtarë nuk funksionojnë në konkurrencë të shëndoshë po kanë marrëveshje të përbashkëta. Unë nuk paragjykoj por këto sinjale po i marr dhe do t’i shikoj me Autoritetin e Konkurrencës […] Deri më tash kemi diskutuar për marzhën tregtare 2 me 8 dhe kemi diskutuar për rritjen e stoqeve të rezervës shtetërore. Këto dy valë jemi, është diskutuar në tavolinë akciza, por vet naftëtarët janë më shumë të interesuar të shkojmë në marzhën dy me tetë […] Ndoshta të ardhmen ka me u shpreh nevoja me shqyrtuar TVSh-në dhe akcizën, por tash për tash jemi në këtë valë”, tha ajo.

Ministrja tregoi edhe angazhimin e saj konkret për sigurimin e stoqeve me grurë.

“Nuk e di pse vjen ky panik kur nuk ka rrezik për mbyllje të kufijve dhe stoqeve. Ndoshta për grurin që Ukraina është një prej shteteve eksportuese, por Kosova nuk ka eksportuar nga Ukraina, nuk lidhet direkt. Kemi shtete mike, si Kroacia, Italia, Bullgaria, Turqia nga ku atje marrim grurë. Jemi në kontakt me MPJD-në, ambasadat dhe ministrat përkatës, homologët anë që bisedojmë. Edhe në qoftë se ata e ndalin eksportin për disa prej produkteve, marrëveshjet ndërministrore ministër-ministër e lejojnë Kosovën të rrisë mundësinë e stoqeve dhe rezervave shtetërore në këtë rast”, shtoi Hajdari.

Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka paralajmëruar rifreskimin e sanksioneve ndaj Federatës së Rusisë, pas agresionit në Ukrainë dhe krijimin e një fond humanitar për Ukrainën.

Kryediplomatja u shpreh optimiste se viti 2022 do të jetë “interesant” për njohjet e reja, derisa, foli edhe për emërimin e ambasadorëve.

“Momentalisht kanë kaluar në komisionin parlamentar tre ambasadorë politik. Është ambasadori që duhet të shkojë në Turqi, Maqedoni të Veriut dhe në Norvegji. Këto janë procedurat që janë konifenciale deri në momentin e aprovimit […] Procesi (për njohje të reja) është i mirë” theksoi Gërvalla duke shtuar se “mua më bënë optimiste se viti 2022 do të jetë interesant edhe në këtë aspekt”.

Exit mobile version