Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka marrë vendim që të bëhet hetim zyrtar për importin e bllokave nga Serbia.
Në arsyetimin e paraqitur në vendim thuhet se të gjeturat e analizës preliminare të kryera nga Departamenti i Tregtisë si pjesë e rivlerësimit të bërë para skadimit të masës mbrojtëse antidamping prej 0.02€ për bllokat dhe analizës aktuale, tregojnë që ka elemente se importi i këtyre produkteve nga Serbia po vazhdon të shkaktojë dëme materiale përmes çmimeve damping ndaj industrisë se prodhuesve vendor te materialit ndërtimor nga argjila.
“Duke analizuar ketë sektor para dhe pas shfuqizimit të masës mbrojtëse antidamping, të dhënat e dala nga hulumtimi preliminar i bërë nga Departamenti i Tregtisë në bashkëpunim me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe dhe takimit me Shoqatën e Prodhuesve të Materialit Ndërtimor nga Argjila, tregojnë për një tendence të dëmtimit të prodhimit vendor nga produktet e importuara nga Serbia, në drejtim të çmimeve damping. Duke u bazuar në ligjin për Masat Antidamping dhe Masat Kundër balancuese përkatësisht nenit 28 Departamenti i Tregtisë në konsultim me Komisionin e Detyrimeve të Veçanta në Importe rekomandon marrjen e vendimit për hapjen e hetimit zyrtar për importin e bllokave standard me dimensione 19x19x25 nga Serbia me dyshimet se një importi tillë i bllokave te importuar nga Serbia në Kosovë po vazhdon të shitet me çmime më të ulëta se çmimi i tyre në tregun e brendshëm në Serbi dhe rrjedhimisht një import i tillë rrezikon prodhimin vendor për shkak të çmimeve joreale”, thuhet në vendimin e ministres Hajdari.