UBT News

Hajdari: Kosova e përqendruar në inovacion për zhvillimin ekonomik

Përmes zhvillimit të inovacionit rritet punësimi i të rinjve dhe ngritët ekonomia në Kosovë.

Kështu është thënë në Konferencën finlandezo-kosovare me temën “Zhvillimi i ekosistemit të bizneseve fillestare (start-up) dhe inovacionit” në Prishtinë.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha me këtë rast se edhe Kosova është e përqendruar në inovacion, digjitalizim dhe në promovimin e krijimit të sipërmarrjeve të reja, si start-up-eve.

Ministrja Hajdari theksoi se si qeveri duke qenë se Kosova është një vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, zhvillimi i instrumenteve dhe politikave për nxitjen e inovacionit sidomos tek të rinjtë, mund të rezultojë një hap i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të inovacionit në vend, rritjes se nivelit të punësimit tek të rinjtë, si dhe rritjes ekonomike të vendit.

“Kemi arritur të hartojmë politika të qarta publike për mbështetjen, nxitjen dhe promovimin e inovacionit në ndërmarrësi, po ashtu kemi përfunduar hartimin e draft-ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe Ligjin për Fondin e Inovacionit…Më gëzon fakti që kohëve të fundit, dëgjoj se të rinjtë e Kosovës po përzgjedhin drejtimet e studimit në shkencat ekzakte dhe teknologji dhe çdo ditë e më tepër ky numër po rritet. Gjithashtu edhe si ndërmarrës të ri e të suksesshëm me kreativitetin dhe idetë novatore, ata po krijojnë e lënë gjurmë të dukshme në ekonominë e Kosovës. Dhe duhet edhe ta themi edhe me një dozë krenarie normalisht meritore, se këtë armatë punëtorësh të vyeshëm, Qeveria e Kosovës dhe MINT, e ka mbështetur dhe po vijon ta mbështesë me normativë ligjore, programe grantesh, prezantime ndërkombëtare e krijim hapësirash, për zhvillim sa më të hovshëm të sektorit teknologjik, si një adut me shumë peshë për ngritjen e gjithmbarshme ekonomike të shtetit tonë“, theksoi ajo.

Ambasadori i Finlandës në Prishtinë, Matti Nissinen tha se Kosova është në rrugën e duhur që përmes teknologjisë të zgjidh probleme.

Ai tutje ofroi mbështetje për shtetin e Kosovës, teksa theksoi se Finlanda është partner i përsosur për të përshpejtuar digjitalizimin në Kosovë.

“Ne konsiderojmë se Finlanda është partneri i përsosur për të zhvilluar zgjidhje TIK dhe për të përshpejtuar digjitalizimin në Kosovë. Finlanda është një nga vendet më të avancuara digjitale sot. Ne kemi fuqi punëtore të talentuar të TI-së në Finlandë dhe shoqëri shumë inovative, dhe e përdorim teknologjinë për të zgjidhur problemet. Dhe unë gjithashtu besoj se edhe Kosova është në rrugën e duhur. Sipas raportit të vitit 2023, Kosova renditet jashtëzakonisht mirë, për sa i përket konkurrencës në sektorin e TI-së në Ballkanin Perëndimor, dhe që nga viti 2020, ka numër të madh të studentëve të TIK-ut. Kjo është vërtetë mbresëlënëse”, tha ai.

Drejtoresha Ekzekutive e STIKK – Shoqata kosovare për TIK, Vjollca Çavolli u shpreh se përdorimi teknologjik ka avancuar në Kosovë dhe tani 90 për qind e kompanive kosovare po i eksportojnë shërbime e tyre.

“Tani jemi rritur aq shumë, saqë pothuajse 90 për qind e kompanive kosovare po i eksportojnë shërbimet dhe produktet e tyre. Kjo është vërtet e mrekullueshme, dhe kam marrë informata nga universitetet publike dhe private, se numri po rritet çdo ditë, dhe çka është edhe më e rëndësishme, numri i vajzave apo grave studente është duke u rritur me shpejtësi. Tani numri i studenteve femra është më i madh se numri i studentëve meshkuj në universitetet publike dhe private, gjë që është kënaqësi ta them, ngase mendoj se shkencat kompjuterike apo teknologjia informative, duhet të jenë zgjedhja për shumicën e grave, ngase mendoj se janë të afta që të kenë sukses në këtë sektor”, tha ajo.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Isak Shabani u shpreh se konferencat si kjo e sotmja ndihmojnë në shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimit në të ardhmen për forcim të edukimit dhe kërkimeve shkencore.

Në konferencën finlandezo-kosovare “Zhvillimi i ekosistemit të bizneseve fillestare (start-up) dhe inovacionit” përmes paneleve të ndryshëm me pjesëmarrës vendor e finlandez u diskutuan tema për mënyrën e zhvillimit të ekosistemit në inovacione dhe start-up.

Exit mobile version