Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Ekonomi ka theksuar se rezerva shtetërore është rritur shumëfish më shumë, për vitin 2023 krahasuar me vitet paraprake.
Kjo rezervë sipas saj do të jetë në vlerë 15 milionë euro.
“Qeveria e Kosovës ka shtuar 16-fish më shumë se atë që e kemi trashëguar. Kosova kishte nënshkruar në vitin 2012 obligimet dhe marrëveshjen me komitetin e energjisë në Vjenë, dhe ne ende nuk e kemi kryer asnjë obligim prej vitit 2012 dhe vendi ynë mund të pësojë edhe penallti nëse ne nuk sigurojmë rezervat e detyrueshme përpos Rezervës shtetërore që ishte propozuar 25 milionë euro, por që është zvogëluar në vetëm 15 milionë euro”, theksoi ajo.
Ministrja Hajdari, ndër të tjera, ka thënë se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka planifikuar që në vitin 2023 të emërojë 7 atashe ekonomikë.
Hajdari ka theksuar se diplomacia ekonomike dhe Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) do të jenë prioritet për vitin e ardhshëm. Kjo sipas Hajdarit ka për qëllim promovimin dhe nxitjen e investimeve në Kosovë.
“Për vitin e ardhshëm janë kërkuar 7 atashe ekonomikë që parashihen për vitin 2023. KIESA duhet të forcohet për t’i siguruar Kosovës më shumë promovim, më shumë nxitje të investimeve dhe më shumë investitorë të huaj në Kosovë”, tha ajo.
Ministrja Hajdari raportoi për ndarjet buxhetore për 2023, për institucionet që janë në fushëveprim të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Në mbledhjen e sotme, Komisioni ka miratuar Planin Kombëtar të Radio – frekuencave.