Një nga bandat më të fuqishme të Haitit besohet se qëndron pas rrëmbimit të 17 misionarëve amerikanë dhe kanadezë, kështu tha një burim në forcat e sigurisë të vendit të Karaibeve për CNN të dielën, transmeton UBT News.
Autoritetet besojnë se banda “400 Mawozo” rrëmbeu grupin, i cili përfshinte 16 amerikanë dhe 1 kanadez, pasi ata vizituan një jetimore në Croix des Bouquets, në Port-au-Prince.
Teksa po ktheheshin nga jetimorja, në veri të Port-au-Prince, anëtarët e bandës ndaluan automjetin nën kërcënimin e armëve.
Banda 400 Mawozo është rritur dhe është bërë më e fuqishme gjatë tre viteve të fundit, duke numëruar deri në 150 anëtarë dhe tani ka marrur kontrollin e Croix des Bouquets, tha burimi në forcat e sigurisë të Haitit.
Rrëmbimi për shpërblim është një veprimtari dalluese e bandës. Ata kanë rrëmbyer dhjetëra njerëz vetëm këtë vit, përfshirë shtetas të huaj.
Dikur famëkeq për vjedhjen e makinave, banda ka qenë e njohur për rrëmbime “kolektive” të grupeve të mëdha nga autobusët apo makinat, sipas Qendrës për Analizën dhe Kërkimin për të Drejtat e Njeriut (CARDH).
Anëtarët e bandës përfshihen në konfrontime të përditshme me policinë e vendit dhe madje taksojnë bizneset lokale.
Sipas CARDH, shumica e viktimave të bandës janë shtetas dhe kidnapimet janë rritur në vend këtë vit me një rritje gati 300% që nga korriku, përcjell UBT News.
Të paktën 628 rrëmbime janë kryer që nga janari, përfshirë 29 të huaj, sipas të dhënave të publikuara nga qendra. 400 Mawozo zakonisht ka kërkuar shpërblim prej rreth 20,000 dollarë, tha ai.
Ministritë e Ndihmës me bazë në Ohajo lëshoi një deklaratë të dielën duke konfirmuar rrëmbimin e misionarëve dhe thanë se grupi i rrëmbyer përbëhej nga pesë burra, shtatë gra dhe pesë fëmijë.
Zyrtarët Haitian janë në kontakt me Departamentin Amerikan për rrëmbimin, tha ministri i jashtëm i vendit, Claude Joseph.
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se ishte në dijeni të raporteve dhe se “mirëqenia dhe siguria e qytetarëve amerikanë jashtë vendit është një nga përparësitë më të larta të Departamentit të Shtetit”.
Sipas një zyrtari të lartë amerikan të njohur me situatën, FBI dhe zyrtarët e Departamentit të Shtetit nuk e dinë vendndodhjen aktuale të misionarëve të rrëmbyer.
“Zyrtarët kanadezë po punojnë gjithashtu me autoritetet lokale dhe “OJQ -të e implikuara” për të mbledhur informacion”, tha një zëdhënëse e Global Affairs Canada për CNN./UBTNews/