Ylli i njohur i kinemasë indiane, Shah Rukh Khan, është futur zyrtarisht në klubin e miliarderëve.
Sipas listës më të fundit të Hurun India Rich List 2025, të cituar nga BBC, pasuria e aktorit 59-vjeçar është vlerësuar në 1.4 miliardë dollarë amerikanë.
Kjo e vendos atë në të njëjtën ligë me emra të mëdhenj të botës së famës si Arnold Schwarzenegger, Rihanna, Tiger Woods dhe Taylor Swift, pasuria e të cilëve vlerësohet nga revista Forbes rreth 1.6 miliardë dollarë.
Në listën e më të pasurve nga Bollywood figurojnë aktorja Juhi Chawla, aktorët Hrithik Roshan dhe Amitabh Bachchan, si dhe regjisori i njohur Karan Johar.
I njohur shpesh si “mbreti i romancës”, Khan ka kaluar mbi tri dekada në industrinë e filmit, ku përveç aktrimit ka ndërtuar edhe një perandori biznesi.
Ai është themelues dhe drejtues i kompanisë së produksionit Red Chillies Entertainment, si dhe bashkëpronar i ekipit të kriketit Knight Rider Sports – burimet kryesore që e kanë futur në rangun e miliarderëve.
Përveç këtyre, pasuria e tij rritet nga filmat, kontratat reklamuese dhe investimet në prona të paluajtshme në mbarë botën.
Sipas Anas Rahman Junaid, themelues i Hurun India, ngjitja e Khanit në këtë nivel pasurie reflekton transformimin ekonomik që po ndodh në Indi. Ai e krahason këtë me zhvillimet në SHBA, ku miliarderët nuk vijnë më vetëm nga industria tradicionale apo bankingu, por edhe nga sporti, mediat dhe argëtimi – ashtu si Michael Jackson, LeBron James, Oprah Winfrey dhe Beyoncé.
Sipas Forbes, edhe pse shumë të famshëm arrijnë pasuri marramendëse, është ende e rrallë që ajo të kalojë në shifra dhjetëshifrore, pasi numri i miliarderëve të tillë mbetet i kufizuar në mbarë botën. /A.Z/UBT News/