UBT News

Hagë: Pjetër Shala del para Speciales më 19 prill

Pjetër Shala, i arrestuar në bazë të fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, do të paraqitet në sallën e gjyqit të këtyre dhomave në Hagë, më 19 prill.

Shala u arrestua më 16 mars nga autoritetet belge në bazë të aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, të lëshuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Shala u transferua në Hagë më 15 prill, njoftuan Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ai ngarkohet me krime lufte, si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera përafërsisht midis 17 majit, 1999, dhe 5 qershorit, 1999, kundër personave që mbaheshin të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës. Kjo fabrikë pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka konfirmuar tashmë aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ata gjenden në paraburgim në Hagë qysh në nëntor të vitit të kaluar dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Përpara tyre është arrestuar dhe dërguar në Hagë edhe Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së. Aktakuza e ngarkon atë për kryerje të krimeve të luftës.

Exit mobile version