UBT News

​Guvernatori i BQK-së takohet me zëvendëspresidenten e BB-së, diskutohet sektori financiar

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, me bashkëpunëtorët e tij zhvilloi një takim me zëvendëspresidenten të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonella Bassani me bashkëpunëtorë.

Ky takim sipas BQK-së u mbajt së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në kuadër të takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore (BB) që po mbahen në Washington D.C.

Guvernatori Ismaili e informoi znj. Bassani lidhur me zhvillimet kryesore në sektorin financiar, zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së dhe reformat e tjera të ndërmarra nga ana e BQK-së. Gjithashtu u diskutua lidhur me projektet që janë duke u zbatuar me mbështetjen e grupit të BB-së, duke përfshirë atë të modernizimin e sistemit të pagesave si dhe digjitalizimin e shërbimeve financiare”, thuhet në komunikatë.

Guvernatori Ismaili e informoi Bassani mbi progresin e bërë dhe veprimet e ndërmarra nga BQK-ja në përgatitje për procesin e para aplikimit për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro, e njohur si SEPA, ku mbështetja e BB-së sipas BQK-së është vendimtare në arritjen me sukses të këtij qëllimi strategjik me efekte të shumanshme pozitive për ekonominë e vendit.

Gjatë takimit u shqyrtuan edhe aspekte tjera që lidhen me mundësinë për projekt të ri për qëllim mbështetjen në realizimin e investimeve e infrastrukturës së pagesave te shpejta, të njohura si “fast payments”, i cili me anëtarësimin e SEPA, në fazë të mëvonshme, do të mundësoj ndërlidhjen me sistemin e pagesave të BE-së. Në fund, përfaqësuesit e BQK-së shprehën mirënjohjen e sinqertë për Grupin e Bankës Botërore për mbështetjen e vazhdueshme dhe partneritetin strategjik”, përfundon njoftimi.

Exit mobile version