UBT News

Guvernatori i BQK-së në takimet vjetore të FMN-së, pritet të diskutohet për ecuritë e ekonomike

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore e Kosovës, i kryesuar nga guvernatori Ahmet Ismaili, me pjesëmarrjen e Kryetarit të Bordit, Bashkim Nurboja dhe Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Mbikëqyrjes Bankare, Blerim Terziqi po merr pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që po mbahen në Marakesh të Marokut.

BQK njofton se delegacioni i udhëhequr nga guvernatori Ismaili, do të ketë takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do të diskutohet mbi ecuritë e ekonomike e financiare gjatë vitit 2023 si dhe pritjet për vitin 2024 e tutje.

Në këto takime, Guvernatori Ismaili do të prezantojë prioritetet e tij për sektorin financiar dhe do të kërkojë mbështetje të këtyre dy institucioneve për zbatimin e tyre. Këto prioritete synojnë forcimin tutje të kapaciteteve dhe sistemeve të BQK-së, si parakusht për një sektor të shëndoshë financiar dhe përkrahës ndaj sektorit privat dhe ekonomive familjare.

Gjatë qëndrimit të tij në Marakesh, Guvernatori Ismaili do të nënshkruajë me Bankën Botërore marrëveshjen për anëtarësim të BQK në programin e Thesarit të Bankës Botërore i quajtur “Reserve Advisory & Management Partnership” (RAMP).

RAMP është program që merret me kapitalin njerëzor dhe ofron shërbime për menaxhimin e aseteve dhe rezervave, ku pjesëmarrës janë një numër i madh i bankave qendrore nga e gjithë bota.

Po ashtu, Guvernatori Ismaili do të marrë pjesë në Sesionin Plenar ku Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva dhe Presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga do t’iu drejtohen guvernatorëve të bankave qendrore dhe ministrave të financave nga e gjithë bota. Në këtë forum do të diskutohet mbi çështjet që lidhen me sfidat botërore dhe veprimet që duhet koordinuar së bashku për t’i adresuar ato.

Në takimet që do të zhvillohen deri më 14 tetor, mbledhin bankierë qendrorë, ministra të financave dhe të ekonomisë, deputetë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues nga organizata të

shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështje me rëndësi botërore, si perspektiva ekonomike, zhdukja e varfërisë dhe zhvillimi ekonomik.

Exit mobile version