Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka shkaktuar “shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut”, tha të hënën sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
“Ka shkaktuar vdekje, shkatërrim dhe zhvendosje të gjerë”, deklaroi Guterres.
“Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut ka dokumentuar dhjetëra raste të dhunës seksuale ndaj burrave, grave dhe vajzave, që lidhen me konfliktin”, shtoi ai.
Guterres e mbajti fjalimin në takimin e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për të përkujtuar 75-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë. Ai u bëri thirrje qeverive ndërkombëtare që të respektojnë dhe rivitalizojnë deklaratën, për të cilën ai tha se shpesh “keqpërdoret dhe abuzohet”./UBTNews/