Konfirmon OVL-UÇK, personi i arrestuar në Serbi nuk ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
OVL-UÇK ka konfirmuar se Behar Preniqi i arrestuar mbrëmë nga autoritet serbe nuk ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati tha për KosovaPress se Preniqi nuk figuron në emrat e listave të arkivave të kësaj organizate.
“Në dokumentacionet tona në organizatë të veteranëve ai nuk është as anëtar as nuk ka dosje, te ne nuk ka. Te ne ai nuk ka dokumentacion se është veteran i UÇK-së, mua më vjen keq sepse ai është qytetar i Kosovës, por tek ne nuk është në evidenca“, tha Gucati.
Behar Preniqi është ndaluar nga autoritetet serbe nën arsyetimin e krimeve të luftës duke pretenduar se ai ishte pjesë e UÇK-së, transmeton KosovaPress.
Raportohet se Preniqi është arrestuar në Bajakovo në pikën kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë.
Pretendimet e autoriteteve serbe se Preniqi ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka hedhur poshtë edhe familja e tij, duke potencuar se Preniqi në kohën e luftës në Kosovë ishte i mitur rreth moshës 16 vjeçare.