UBT News

Gucati e Haradinaj të premten flasin para trupit gjykues në Hagë

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë e ka përfunduar paraqitjen e deklaratës përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Në seancën që do të zhvillohet nesër në Dhomat e Specializuara do të fillojë dëgjimi i deklaratave përfundimtare të mbrojtjes ndërsa të akuzuarit do të mund të flasin para trupit gjykues të premten më 18 mars.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ka bërë të ditur se deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes nuk duhet të trajtojnë çështjen e dhënies së dënimit.

“Më 15 dhe 16 mars do të dëgjojmë deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes së Gucatit dhe Haradinajt dhe do të ketë pyetje nga paneli. Këto deklarata nuk duhet të trajtojnë çështjen e dhënies së dënimit. Mbrojtja duhet të marrë parasysh se pyetjet e panelit do të zgjasin 30-45 minuta pas çdo deklarate dhe duhet të mbarojnë deklaratën e tyre 45 minuta para se të mbarojë koha e tyre. Më 17 mars paneli duhet të dëgjojë përgjigjën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe pyetje nga paneli, më 17 mars në në seancën e dytë paneli do të dëgjojë parashtrime në kundërpërgjigje të përgjigjes së prokurorisë nga mbrojtja e Gucatit dhe Haradinajt dhe në të njëjtën ditë në seancën e tretë prokuroria do të bëjë parashtrime për dhënien e dënimit dhe për ndonjë provë shtesë dhe informacionet që do të nxirren sot, paneli mund të bëjë pyetje”, ka thënë kryetari i turpit gjykues.

Ai ka shtuar se më 18 mars, përveç dëgjimit të deklaratave nga Gucati e Haradinaj, do të dëgjohen edhe parashtrime të mbrojtjes në lidhe me dhënien e dënimit.

Ai ka theksuar se duhet të shmangen deklaratat politike apo ato për luftën e fundit në Kosovë duke shtuar që palët nuk duhet të përmendin informacione konfidenciale në seanca publike.

Deklaratat përmbyllëse po dëgjohen pasi kanë përfunduar paraqitjet e provave dhe dëshmitarëve nga të dy palët.

Exit mobile version