UBT News

Gucati: Dosjet që erdhën janë dokumente zyrtare të Speciales, figurojnë emrat e dëshmitarëve

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati u prononcua edhe njëherë rreth dosjeve që u dërguan në zyret e OVL-UÇK-së.

Gucati thotë se nuk po pretendojnë ta zhbëjnë Gjykatën Speciale, por sipas tij, publikimi i këtyre dosjeve e ka treguar seriozitetin e kësaj gjykate.

“Ne nuk pretendojmë ta zhbëjmë Gjykatën Speciale me skandalin e dosjeve që ndodhi, por publikimi i këtyre dosjeve e ka treguar seriozitetin e kësaj gjykate. Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 me këmbënguljen e bashkësisë ndërkombëtare, ku Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për ketë Gjykatë. Arsyeja se pse kjo gjykatë duhej të vendosej në Hagë, ishte pikërisht për faktin se nëse do ishte e vendosur në Kosovë, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, “mund të kishte frikësim të dëshimtarëve”. Dosjet që kanë ardhur në zyrat e OVL të UÇK-së, janë dokumente zyrtare të Gjykatës Speciale në të cilat figurojnë shumica e emrave të dëshmitarëve. Këto dosje konfidenciale kanë dalë nga zyrat e Gjykatës Speciale, prandaj këtu shifet edhe serioziteti dhe niveli i kësaj gjykate që në parim ishte dashtë të ndiqet penalisht për veprimet që i ka bërë, por edhe për rrezikimin e dëshmitarëve që gjenden në këto dokumente”, shkroi ai në Facebook.

Ai po ashtu ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ndërhyrë direkt në ndalimin e presidentit Hashim Thaçi që të mos merrte pjesë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në SHBA.

“Poashtu Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte ndërhyr direkt në ndalimin dhe pengimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të mos merrte pjesë në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ishte paraparë të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Thaçi ishte i ftuar dhe e kryesonte Kosovën në këto bisedime. Ky akt që e ndrmori Gjykata Speciale kundër Hashim Thaçit, tregon qartë se Gjykata Speciale është pjesë e ingranimeve politike dhe se indirekt e mban anën e Serbisë. Edhe ashtu Gjykata Speciale, nënkupton Gjykatën e Kosovës me Dhoma të Specializuara në Hagë, me prokuror dhe gjykatës ndërkombëtarë, me polic dhe hetues të huaj si dhe me përkthyes të huaj.”, shkroi ai në Facebook./UBTNews

Exit mobile version