Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se Guatemala do të pranojë 135 të burgosur politikë nga Nikaragua për arsye humanitare. Të liruarit, të cilët janë shtetas të Nikaraguas, përfshijnë anëtarë të organizatës evangjeliste Mountain Gateway, laikë katolikë dhe studentë. Ata do të shkojnë në Guatemala përpara se të kërkojnë të lëvizin ligjërisht në Shtetet e Bashkuara ose në vende të tjera.
Këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se ky hap është një vazhdim i përpjekjeve për të mbështetur të burgosurit politikë dhe për të ndihmuar ata të arrijnë një të ardhme më të sigurt. Lirimi i këtyre individëve vjen pas lirimit të më shumë se 200 të burgosurve politikë vitin e kaluar, të cilët u dërguan në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti i Guatemalës, Bernardo Arevalo, e cilësoi këtë vendim si një shenjë solidariteti ndërkombëtar, duke theksuar se Guatemala është e gatshme të ndihmojë ata që janë në nevojë. Administrata e presidentit të Nikaragës, Daniel Ortega, e cila është përballur me kritika ndërkombëtare për represionin ndaj disidencës, nuk ka komentuar ende për këtë zhvillim të fundit.
Lirimi i këtyre të burgosurve është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të ndihmuar ata që janë përndjekur për shkak të bindjeve të tyre politike./UBTNews/