Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas rrahjeve në Kuvendin e Kosovës, ku deputetë të këtij subjekti janë përplasur me ministrat e Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas PDK-së, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi provokoi opozitën duke hequr fotografinë e vendosur nga ta në foltoren e Kuvendit.
Në komunikatën për media të PDK-së, thuhet po ashtu se ishte Bislimi që hodhi me shishe deputetin opozitar, Mërgim Lushtaku, i cili hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Albin Kurti dhe vet Bislimit.
“Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politikë shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojiçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore. Madje, ishte pikërisht zëvëndëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku”, thuhet në komunikatë.
Sipas PDK-së, “në një moment kur kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejojë atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës”.
“Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve. Tani, gjithçka është e qartë. Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Milan Radojçiqin, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri nuk kanë më kurrfarë kuptimi dhe asnjëlloj kredibiliteti”, thuhet aty.
Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë përsëritur se sipas tyre, Qeveria Kurti duhet “të shkojë në shtëpi një orë e më parë”.
“Një Qeveri që bashkëpunon me kriminelët serbë, në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, duhet të shkojë në shtëpi një orë e më parë. Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja, nga të cilat, qytetarët me votën e tyre do të zgjedhin një Qeveri kredibile e cila do ta kthej vendin në rrugën e duhur drejt integrimit euro-atlantik”.