Grupi i Miqësisë Kosovë-Arabi Saudite në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në përbërje të deputetëve: Fitim Haziri, kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-Arabi Saudite, gjithashtu anëtarëve Blerta Deliu Kodra, Fjolla Ujkani, Gramoz Agusholli dhe Visar Korenica pritën në takim Komitetin Parlamentar Arabi Saudite-Kosovë të Asamblesë Konsultative të Arabisë Saudite (Shura), kryesuar nga Khaled bin Mohammed Al Bawardi që shoqërohej nga ambasadori Faisal Hifzi Ghazi.
Në këtë takim u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Arabisë Saudite në fusha të ndryshme, me theks të veçantë në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe turizëm, përmes projekteve konkrete.
Në aspektin ekonomik u propozuan projekte me rëndësi vitale për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Nga ana e delegacionit mysafir, u propozua krijimi i një linje ajrore direkte, si dhe krijimi i një grupi të përbashkët punues mes dy vendeve. Nga anëtarë të grupit vendor të miqësisë u kërkua themelimi i Odës Ekonomike të Arabisë Saudite në Kosovë, si urë lidhëse mes bizneseve të dy shteteve, si dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët dëshirojnë të vizitojnë Arabinë Saudite.
Projektet e propozuara nga të dyja palët synojnë krijimin e një baze të qëndrueshme për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe nxitjen e investimeve reciproke.
Anëtarët e Grupit të Miqësisë të Kuvendit të Kosovës shprehën gjithashtu mirënjohjen e tyre për Arabinë Saudite sa i përket mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën, veçanërisht në organizatat ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, delegacioni nga Arabia Saudite shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në zhvillimin dhe realizimin e projekteve të bashkëpunimit, duke ofruar mbështetje për fushat e interesit të përbashkët.
Ky takim përfundoi me zotimin e të dyja palëve për të formuar një grup punues i cili do të punonte në përgatitjen e një memorandumi të bashkëpunimit, me qëllim jo vetëm arritjen e objektivave të përbashkëta dhe konkretizimin e projekteve të interesit të përbashkët në të ardhmen, por edhe shtrirjen e bashkëpunimit edhe në fushat e tjera.