Një grup divers i 35 organizatave të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia, pas një tubimi në Graçanicë, kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, duke bërë thirrje për zëra të rinj konstruktivë – zëra që shikojnë nga e ardhmja, duke mbajtur një sy të mprehtë në të kaluarën; zëra që kërkojnë partneritete dhe koalicione përtej vijave të kuqe që supozohet t’i definojë ato; dhe zëra që ngrihen publikisht kundër retorikës përçarëse dhe poshtëruese.
Cikli i vazhdueshëm i përshkallëzimit dhe de-eskalimit në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, siç është bërë e ditur në komunikatë, paraqet dështim të imagjinatës politike.
“Energjia që shpenzohet në përballje me krizën e fundit shpërqendron nga tërësia e çështjeve urgjente që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve në Serbi dhe Kosovë. Trendi tashmë ekzistues është që njerëzit veç se po largohen nga Serbia dhe Kosova, veçanërisht të rinjtë. Ndërsa ngrihen barrikada të reja, aq dhe valixhe të reja mbushen. Shumë pak prej tyre ka të gjasë të kthehen. E ardhmja e vendeve tona do të jetohet diku tjetër. Shumë grupe që konsiderohen jashtë spektrit të dialogut Beograd-Prishtinë janë në themel të injoruar. Komuniteti rom, nëse marrim njërin, e sheh veten të margjinalizuar si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Me perspektivën e dhunshme që është më e theksuar se sa ka qenë për një dekadë, është koha tani që të dëgjohen zëra të rinj konstruktiv – zëra që shikojnë nga e ardhmja duke mbajtur shikimin e mprehtë nga e kaluara; zëra që kërkojnë partneritete dhe koalicione përtej vijave të kuqe që supozohet të na përcaktojnë; zëra që ngrihen publikisht kundër retorikës përçarëse dhe poshtëruese”, është bërë e ditur në komunikatë.
Të nënshkruarit e deklaratës, siç është potencuar, do të marrin përsipër të mbajnë kanale komunikimi që zvogëlojnë mundësitë për keqkuptim dhe dezinformim.
“Shumë shpesh ne kemi folur pa e kuptuar njëri-tjetrin, duke këmbëngulur në rëndësinë e një pike, ndërkohë duke e nënvlerësuar apo injoruar plotësisht ekzistencën e një tjetre. Mendojmë se i kuptojmë detajet e një çështjeje, por nuk arrimë të marrim parasysh se si kuptohet apo shihet ajo nga komunitetet e tjera. Të gjithë duhet të jemi të përkushtuar të dëgjojmë me veshë të hapur dhe mendje të hapur. Vetëm duke ndarë perspektivat dhe perceptimet nga komunitetet tona përkatëse mund të fillojmë të ecim drejt një rruge të përbashkët për të ardhmen. Shumë nga problemet me të cilat përballen komunitetet tona përkatëse janë pothuajse identike, megjithatë ne rrallë e pranojmë këtë fakt. Nëse ka pasur ndonjëherë një kohë për solidaritet në dekadën e fundit, është kjo tani. Lufta në Ukrainë është përkujtim i dhimbshëm i realiteteve të zymta të luftës, edhe pse trashëgimitë tona mbeten të afërta”, është bërë e ditur tutje.
Sipas deklaratës së përbashkët të 35 organizatave të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia, kauza e paqes nuk kërkon vetëm fjalë për këtë qëllim, por imazhe e marrëdhënie që mishërojnë të qenit bashkë.
“Qëndrojmë kundërshtues ndaj të gjitha projeksioneve të panevojshme të forcës dhe të gjithë narrativave të urrejtjes e përçarjes. E ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme me njëra-tjetrën dhe një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve është hap i parë jetik në ndërtimin e një të nesërme më të mirë. Por është vetëm një hap i parë”, është bërë e ditur tutje në komunikatë.