Grupet e të drejtave të njeriut kanë dënuar kufizimet e fundit të talibanëve sa i përket edukimit dhe lëvizjes së grave. Atyre iu ndalua vizita në një prej parqeve më të famshme kombëtare të Afganistanit si dhe iu ndalua të studiojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe me bursa akademike.
Amnesty International e dënoi aksionin e fundit të talibanëve përmes së cilit iu ndalua studenteve femra që të udhëtojnë në Dubai për të filluar studimet e tyre universitare.
“Ky vendim absurd është shkelje flagrante e të drejtës për arsim dhe liri të lëvizjes dhe demonstron persekutimin e vazhdueshëm gjinor ndaj grave dhe vajzave në Afganistan”, reagoi grupi i të drejtave në Twitter.
“Autoritetet de-fakto të talibanëve duhet të ndryshojnë menjëherë vendimin e tyre dhe t’i lejojnë këto studente femra të udhëtojnë dhe të studiojnë”, thuhet tutje në reagim.
Kreu i një konglomerati në Dubai tha se autoritetet e talibanëve ua kanë ndaluar rreth 100 grave udhëtimin në Emiratet e Bashkuara Arabe, atje ku ai ua financoi shkollimin universitar.
Khalaf Ahmad al-Habtoor, themelues i Al Habtoor Group, në një video që publikoi në X tha se ka planifikuar të financojë studimet e tyre si dhe fluturimin me aeroplan me të cilin do t’i dërgonte në Emiratet e Bashkuara Arabe./UBTNews/