Talibanët kanë arrestuar dy gazetarë afganë që punonin për një kanal lokal lajmesh, thanë grupet e të drejtave të njeriut, disa javë pasi dy gra aktiviste u zhdukën.
Disa gazetarë afganë janë rrahur gjithashtu ndërsa mbulonin tubime të pa miratuara nga autoritetet.
Shoqata Afgane e Medias, një grup i sapoformuar për të drejtat e gazetarëve, tha se reporterët e TV Ariana, Waris Hasrat dhe Aslam Hijab, u kapën nga talibanët të hënën “dhe u dërguan në një vend të panjohur”.
Pa përmendur talibanët, një zyrtar nga televizioni i tha AFP-së se gazetarët u kapën nga persona të armatosur të maskuar para zyrës së kanalit teksa dilnin për drekë.
Grupi i të drejtave Amnesty International kërkoi që talibanët “të lirojnë pa kushte dhe menjëherë” dyshen.
Një zëdhënës i talebanëve i tha AFP-së se nuk kishte informacion për gazetarët e zhdukur.
Dy javë më parë, dy gra aktiviste u zhdukën pasi morën pjesë në një demonstratë në Kabul duke bërë thirrje për të drejtat e grave.
Talibanët kanë mohuar të kenë dijeni për vendndodhjen e tyre dhe thonë se po hetojnë.
Muajin e kaluar, talibanët arrestuan një pedagog të njohur universitar dhe kritik të regjimit, por e liruan disa ditë më vonë pas një bujë mediatike në Afganistan dhe jashtë saj./UBTNews/