UBT News

Gruda u bën thirrje qytetarëve për qetësi para vendimit të Speciales

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, u ka bërë thirrje të gjithë akterëve publikë që të ruajnë qetësinë dhe të shmangin krijimin e panikut te qytetarët, një ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në një konferencë për media të martën, Gruda tha se reagimet e ditëve të fundit për mundësinë e trazirave në rast të një vendimi dënues kanë krijuar, sipas tij, ankth të panevojshëm te qytetarët.

“Si PDK, kemi përcjellë me shqetësim disa reagime publike të ditëve të fundit, të cilat kanë krijuar ankth të panevojshëm te qytetarët. Në momente të tilla, të gjithë akterët publikë kanë përgjegjësi të tregojnë maturi dhe kujdes. Kosova ka dëshmuar se di t’i përballojë momentet e mëdha me dinjitet”, tha Gruda.

Ai deklaroi se PDK pret që Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi të shpallen të pafajshëm, duke argumentuar se lufta e UÇK-së nuk mund të vendoset në të njëjtin plan me, siç tha ai, politikën shtetërore të agresionit, represionit dhe spastrimit etnik të regjimit serb.

“Ne e themi sot me shpresë dhe besim: nesër duam të festojmë. Duam t’i shohim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin të lirë dhe në rrugën e kthimit në Kosovë”, tha ai.

Gruda paralajmëroi se në rast të një vendimi ndryshe, ai do të kundërshtohet me vendosmëri, argumente dhe me të gjitha mjetet juridike e demokratike në dispozicion.

“Partnerëve tanë ndërkombëtarë u kërkojmë të njëjtën gjë që kemi kërkuar gjithmonë: drejtësi të bazuar në prova, standarde të barabarta dhe respekt për të vërtetën historike të Kosovës”, tha deputeti i PDK-së.

Duke iu referuar represionit, dhunës, dëbimeve dhe vrasjeve gjatë luftës në Kosovë, Gruda tha se historia nuk duhet të rishkruhet.

“Në vitin 1999, UÇK-ja dhe demokracitë perëndimore u gjendën bashkë në anën e drejtë të historisë. Ky partneritet dhe kjo mbështetje ndërkombëtare i dhanë fund një katastrofe humanitare dhe hapën rrugën drejt lirisë dhe shtetit të Kosovës”, theksoi ai.

Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit pritet të shpallet të mërkurën, më 16 shtator, nga ora 10:00./A.K/

Exit mobile version