Një grua afgane përmes një video të postuar në internet tregoi se si një zyrtar taliban e rrahu, e përdhunoi dhe e detyroi të martohej me të – akuza të cilat anëtari i lartë taliban i ka mohuar.
Gruaja, e cila e identifikoi veten si Elaha, tha se ishte sulmuar seksualisht nga Saeed Khosty, një ish-zëdhënës i ministrisë së brendshme. Nga ana tjetër, Khosty i mohoi akuzat për sulm seksual dhe tha se ishte divorcuar nga Elaha pas asaj që ai e quajti “martesë konsensuale”.
Akuzat dhe mohimet e tyre janë shpërndarë mijëra herë në mediat sociale në Afganistan, ku është e rrallë që akuza të tilla dhe detaje personale të transmetohen publikisht.
E veshur me hixhab, Elaha, e cila tha se është studente e mjekësisë në Universitetin e Kabulit dhe dukej se ishte në të njëzetat e saj, shihet duke qarë teksa përshkruan tmerrin.
Elaha, e cila tha se është vajza e një ish-gjenerali afgan, shtoi se ajo u përpoq të ikte, por u kap në kufirin Torkham me Pakistanin dhe u dërgua në burg në Kabul. Nga ajo kërkuan që t’i kërkonte falje Khostyt, por ajo refuzoi dhe pastaj atë e goditën. Nuk dihet prej nga Elaha e postoi videon dhe ku ndodhet aktualisht.
Në Twitter, Khosty i mohoi akuzat./UBTNews/