Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” kanë hyrë në ditën e dytë të grevës, duke qëndruar para ndërtesës së Komunës së Prishtinës në një tendë të vendosur për të vazhduar protestën. Ata kërkojnë zgjidhje emergjente për gjendjen e rëndë financiare në të cilën, sipas tyre, ndodhet ndërmarrja për shkak të mospagesës së borxhit prej 2.7 milionë euro nga Komuna.
“Pastrimi” ka pezulluar shërbimin e grumbullimit të mbeturinave, duke e cilësuar situatën si të paqëndrueshme financiarisht. Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka mohuar ekzistencën e borxhit dhe ka akuzuar menaxhmentin e ndërmarrjes për sabotim dhe keqpërdorim të punëtorëve për qëllime politike.
Kryeqyteti tashmë është përballur me grumbullim të madh mbeturinash nëpër rrugë, gjë që ka ngritur shqetësime për rrezik të mundshëm shëndetësor për qytetarët.
Ndërkohë, Prokuroria ka nisur të mbledhë informacione lidhur me situatën për të shqyrtuar mundësinë e hetimeve më të thelluara. Sindikata e “Pastrimit” ka theksuar se greva është akt i domosdoshëm për të tërhequr vëmendjen mbi situatën alarmante financiare të ndërmarrjes.