UBT News

Greva e punëtorëve të sigurimit në QKUK drejt fundit: Nënshkrimi i kontratës për tender pritet nesër

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, bëri të ditur se greva e punëtorëve të sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pritet të përfundojë nesër, pas nënshkrimit zyrtar të kontratës për tender me kompaninë fituese.

Azemi në intervistë për Ekonomia Online, tha se të gjitha procedurat janë përmbyllur dhe punëtorët do të kthehen në vendet e tyre të punës.

Të gjitha procedurat kanë përfunduar. Nesër pritet vetëm nënshkrimi. Të gjitha përgatitjet janë bërë dhe për kontratë mbetet vetëm nënshkrimi i operatorit të ri. Greva nesër në orën 11:00 zyrtarisht do të mbyllet dhe të gjithë punëtorët që kanë qenë në sistemin e punës pasnesër do të jenë në vendet e tyre të punës. Këta punëtorë do të kenë kushtet më të mira sesa i kanë pasur, sepse shuma e mjeteve tani është më e madhe. Jemi dakorduar me drejtorin e ShSKUK-së të rishikojmë kontratën me përpikëri dhe në momentin që sindikata është aktive, kemi mbështetjen e drejtori”, tha Azemi.

Edhe kryetari i Shoqatës sindikale në QKUK, Hakif Sylejmani, konfirmoi se nënshkrimi i kontratës për tender me kompaninë fituese do të bëhet nesër, pas së cilës do të pezullohet zyrtarisht greva.

“Grevën për sot e kemi përfunduar. Kemi raporte shumë të mira edhe me stafin e QKUK-së dhe me administratën e prokurimit. Nesër në orën 10:00 do të presim drejtorin e kompanisë për të nënshkruar kontratën dhe me atë nënshkrim të kontratës, së bashku me drejtorin e QKUK-së do të dalim dhe të pezullojmë grevën. Jemi të bindur që nesër do të nënshkruhet një kontratë me kompaninë, e cila është fituese dhe e cila do ta marrë tenderin. Dhe ne do të bëjmë kontratë me atë kompani dhe do të fillojmë punën sa më shpejt që është e mundur”, tha Sylejmani.

Exit mobile version