UBT News

Gresa Caka-Nimani zyrtarisht merr detyrën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese

Me një ceremoni zyrtare të mbajtur në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, sot u bë pranim-dorëzimi solemn i detyrës së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ndërmjet kryetares së deritanishme, Arta Rama – Hajrizi dhe kryetares së zgjedhur, Gresa Caka – Nimani.

Në fjalimin e saj përshëndetës, Rama – Hajrizi foli për sfidat e përballura dhe të arriturat e Gjykatës Kushtetuese gjatë dy mandateve në krye të këtij institucioni, me ç’rast përveç gjyqtarëve falënderoi edhe të gjithë stafin e gjykatës për bashkëpunimin dhe për punën e tyre të palodhur, duke theksuar se “vetëm me përkushtimin dhe punën e përbashkët gjykata arriti të kalojë me sukses të gjitha sfidat, duke filluar me tranzicionin nga përbërja e përzier ndërkombëtare në atë vendore, përmirësimin e dukshëm të kualitetit të vendimeve dhe arsyetimeve të shkruara, rritjen e integritetit dhe respektit të publikut ndaj Gjykatës, dhe çka është më e rëndësishmja, konsolidimin e rolit burimor të Gjykatës, e që është mbrojtja e frymës së Kushtetutës, e sistemit kushtetues dhe e të drejtave dhe lirive të secilit qytetar të Republikës së Kosovës”.

Në fund, Rama-Hajrizi shprehu bindjen se nën udhëheqjen e kryetares Caka–Nimani, Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të shënojë suksese të reja në të ardhmen dhe do të konsolidojë edhe më tej praktikën e saj gjyqësore në harmoni me standardet evropiane të drejtësisë kushtetuese.

Pas pranimit ceremonial të detyrës, kryetarja Caka-Nimani nënvizoi rëndësinë e pavarësisë së gjykatës Kushtetuese dhe rolit të saj përcaktues në ruajtjen e rendit e kushtetues dhe vlerave kushtetuese, balancimin dhe ndarjen e pushteteve, avancimin e sundimit të ligjit e rendit demokratik, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ajo gjithashtu vuri theks edhe në nderin dhe përgjegjësinë e saj, që në bashkëpunim me të gjithë gjyqtarët e gjykatës dhe stafin mbështetës, të kontribuojë në konsolidimin dhe avancimin e mëtejmë të drejtësisë kushtetuese në Republikën e Kosovës.

Duke folur në emër të të gjithë gjyqtarëve dhe zyrtarëve të gjykatës, kryetarja Caka-Nimani e falënderoi Rama-Hajrizi për përkushtimin dhe punën e palodhur gjatë mandatit të saj si gjyqtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese për dy mandate, në rritjen e standardeve të gjykimit dhe të cilësisë së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për kontributin e jashtëzakonshëm të saj në mbrojtjen e pavarësisë institucionale të Gjykatës.

Mandati i kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka-Nimani, është tri vjet.

Exit mobile version