Greqia po merr në pyetje tetë të dyshuar nga Pakistani pasi dyshohen për një komplot për të kryer sulme antisemite në Athinë, tha një burim policor të enjten.
“Hetimi për të përcaktuar nëse janë përfshirë persona të tjerë është në vazhdim”, tha burimi i policisë për AFP.
Tetë burrat pakistanezë u arrestuan për hyrje të paligjshme në Greqi, shtoi zyrtari.
Policia greke tha të martën se kishte arrestuar dy pakistanezë me origjinë iraniane, të cilët po planifikonin sulme në zonat e frekuentuara nga izraelitët në qendër të Athinës.
Burimi tha se burrat kishin shënjestruar një ndërtesë që strehon një restorant hebre dhe një qendër lutjesh.
Zëdhënësja e policisë, Constantia Dimoglidou tha për AFP se “organizatori” është “një pakistanez që jeton jashtë Evropës”.
Një burim policor, duke folur në kushte anonimiteti, tha se personi jetonte në Iran.
Agjencia shtetërore e lajmeve ANA të mërkurën vonë tha se tetë burrat që u morën në pyetje ishin “në kontakt të ngushtë” me dy të dyshuarit fillestarë.
Izraeli akuzoi Teheranin se qëndron pas komplotit dhe tha se agjencia e tij e inteligjencës Mossad kishte ndihmuar në shmangien e një sulmi.
Ambasada e Iranit në Greqi mohoi çdo lidhje me komplotin e supozuar./UBTNews/