Në prag të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit Prishtina ka mbështjellë me ngjyrë rozë një autobus të Trafikut Urban. Gratë do të kenë mundësi të bëjnë mamografinë e cila ofrohet falas në tri Qendra të Mjekësisë Familjare dhe pas kësaj do të mund të shfrytëzojnë transportin publik falas gjatë muajit tetor.
Mamografia mund të bëhet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, atë të lagjes “Dardania” si dhe në QMF “Veternik”.
Aktiviteti i Komunës së Prishtinës po bëhet në kuadër të fushatës “Race for the Cure Prishtina”.
Autobusi i linjës 4, i mbështjellur me ngjyrë rozë, ka nisur sot qarkullimin në Prishtinë.
Gratë të cilat do të bëjnë mamografinë këtë muaj do të pajisen më një biletë falas për muajin tetor.
Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, tha se qëllimi i këtij aktiviteti është vetëdijesimi i grave për të bërë mamografinë, sepse sipas tij statistikat tregojnë se numri i grave me kancer të gjirit është në rritje.
“Qëllimi ynë është që bashkërisht të promovojmë autobusin rozë në Prishtinë i cili ka për qëllim promovimin dhe vetëdijesimin e grave për bërjen monografisë. Prishtina këtë vit iu ka bashkëngjitur 140 qyteteve në botë si ‘Prishtina 2023’ e cila ka filluar në vitin 1983 si aktivitet qëllimi i të cilit është me i përkrah gratë që kanë kancer të gjirit dhe t’i vetëdijesojë të gjitha gratë tjera për të bërë mamografinë se fatkeqësisht statistikat tregojnë se çdo e treta grua ka për të sëmur nga kanceri gjirit”, tha Sadiku.
Po ashtu, nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, tha se në këtë muaj të ndërgjegjësimit synojnë që shumë gra të vetëdijesohen dhe të shfrytëzojnë mundësinë për të bërë mamografinë falas.
“Jemi në prag të muajit tetor, muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit edhe që e keni parë e kemi mbështjellë për herë të parë një autobus të trafikut urban me ngjyrën rozë, ngjyra rozë është ngjyra e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit me mesazhin kryesor që sa më shumë gra të vetëdijesohen dhe të shfrytëzojnë mundësinë për mamografinë falas që ofrohet tek qendrat e mjekësisë familjare në kryeqytet. Kemi pas idenë me e mbështjellë autobusin por jo vetëm me mbështjellë, ideja ka qenë që çdo grua që bënë mamografinë falas të shfrytëzojë edhe transportin publik falas gjatë muaji tetor me biletën të cilën e pranon”, tha Sahatçiu.
Bashkëpunëtorë në këtë aktivitet ishte edhe kryeshefi i “Trafikut Urban” në Prishtinë, Burim Maraj, i cili ka ftuar të gjitha gratë që të bëjnë mamografinë.
“I ftojë të gjitha të cilat bëjnë mamografinë të pajisen me një biletë falas dhe kjo është që mund të bëjmë gjithmonë dhe i ftoj të gjitha që të marrin pjesë të kontrollohen dhe shpresoj të dalin mirë, në fund është e rëndësishme që të gjithë të dalin mirë, linja 4 vetëm simbolika është që një autobus të jetë me ndryshe se tjerët autobusë që i kemi me ngjyrë të verdhë. Kjo është një simbolikë që kemi dashtë vetëm një autobus të jetë më special në kryeqytet” tha Maraj.
E Kristale Rama, udhëheqëse e aktiviteteve për vetëdijesimin e grave lidhur me kancerin e gjirit, tha se ky është mesazh edhe për vajzat e reja.
“Nëpërmjet kësaj eksperience, ne takuam shumë paciente dhe të mbijetuara të mrekullueshme, të cilat po dërgojnë mesazhin se gratë duhet t’i bëjnë mamografitë pjesë të kontrollit të tyre fizik vjetor. Ne thjesht shpresojmë të mbështesim këtë komunitet dhe vazhdojmë ta mbështesim këtë komunitet në mënyra kreative dhe të inkurajojmë gratë që thjesht të kontrollohen. Është një procedurë e shpejtë dhe e lehtë dhe spitalet e Prishtinës janë të gjithë të pajisur me punonjës të kujdesit të shkëlqyeshëm, të dhembshur dhe të butë dhe radiologë dhe mjekë që duan të sigurojnë që gratë të jetojnë jetën e tyre të plotë dhe të shëndetshme. Ne duam gjithashtu t’i inkurajojmë gratë që t’i marrin seriozisht sportet dhe ushtrimet e përditshme sepse janë pjesë e kujdesit shëndetësor dhe po bëjmë gjithçka që mundemi për t’u siguruar që gratë të jenë të shëndetshme dhe po japim një shembull të mirë për vajzat”, tha Rama.
Aktivitetin e Komunës së Prishtinës e mirëpritën edhe qytetarët e kryeqytetit.
“Qysh nuk është ide e mirë kjo është e shkëlqyeshme shembullore, kush i ka përkrahë kjo ide shumë e mirë me autobus, vozit vajzë jemi fatbardhë me këtë. 08:12 Duhet me i përkrah duhet me i përkrah gjithmonë, çdo vend çdo moment, kjo është ide e shkëlqyeshme edhe e mirë dhe e nevojshme”, tha Ajet Kerolli.
Edhe qytetarja Rajmonda Pera ftoi gratë për kontrolle mjekësore.
“Shumë mirë është rregull për të gjithë sidomos për gratë tjera është e përsosur, po duhet bërë kontrolle me rregull. Ato duhen bërë me vetë dëshirë se nuk bën po ne e lëmë pas dore”, tha Pera.
Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.