Është fustani që e veshni në “ditën më të lumtur të jetës. Por çfarë bëni me të pastaj? A e mbani si suvenir në garderobë? A e shisni?
Një grup grash gjermane erdhën me një zgjidhje perfekte. Ato kanë krijuar një dyqan në Berlin ku gratë mund t’i dhurojnë donacion fustanet e nusërisë dhe të ardhurat nga shitjet do të shkojnë për Ukrainën. Të gjitha të ardhurat nga nisma e re, e njohur si Dresses for Ukraine, shkojnë për organizatat që mbështesin gratë në vendin e shkatërruar nga lufta.
Është i fundit projekt në një varg projektesh të udhëhequra nga njerëzit në të gjithë Evropën që mbështesin ukrainasit me mjete jokonvencionale. Disa po dërgojnë biçikleta të përdorura në Ukrainë, të tjerë shesin vepra arti për të siguruar fonde.
“Dhuroni fustanin tuaj të përdorur. Ose ejani në ankand për të gjetur fustanin tuaj të ardhshëm”.
Kjo është ideja e Anna Sarastes, një gazetareje finlandeze që jeton në Berlin. Edhe pse edhe më parë e ndihmoi Ukrainën, ajo erdhi me këtë ide, duke besuar se mund të bëhet edhe më shumë.
“Sapo hapa dollapin tim dhe hasa në fustanin e nusërisë. Dhe aty vendosa se ky fustan duhet të dalë në shitje”, deklaroi ajo mes tjerash.
“Unë mund ta shes atë dhe t’ia dhurojë paratë Ukrainës. E shkëlqyeshme. Kam edhe mikesha që gjithashtu do të donin t’i shisnin fustanet. Le ta bëjmë këtë së bashku. Dhe sot, këtu jemi me 90 fustane”, shtoi ajo.
Ndërsa në Berlin po përpiqen të shesin sa më shumë fustane, ato gjithashtu shpresojnë që njerëzit në qytete dhe vende të tjera do të krijojnë grupet e tyre.
Të gjitha paratë e gjeneruara nga shitja e fustaneve speciale u dërgohen dy grupeve të veçanta që mbështesin gratë në Ukrainë.
Qëkur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, rreth 1 milion njerëz janë shpërngulur nga Ukraina në Gjermani. Rreth 70 mijë po qëndrojnë në kryeqytetin gjerman./UBTNews/