Në një artikull të botuar sot në “Le Monde”, rreth 300 gra të njohura u bënë thirrje partive politike të majta që të “largojnë autorët e dhunës seksuale dhe me bazë gjinore”, duke thënë se shumë zyrtarë të zgjedhur dhe kandidatë janë akuzuar për keqbërje, përcjell UBT News.
Pas kinemasë, medias dhe sportit, radha i erdhi botës politike që i’u bashkohet lëvizjes #MeToo. Më 15 nëntor, 285 gra që punojnë në politikë dhe nëpër akademi botuan një letër të hapur në gazetën e përditshme “Le Monde”, ku kërkonin që “autoret e dhunës seksuale dhe të dhunës me bazë gjinore” të largoheshin nga jeta politike.
“Ne, gratë që punojmë në politikë, zyrtare të zgjedhura, bashkëpunëtorë, nëpunëse civile, drejtuese të komunitetit, aktiviste që rregullisht takohen dhe shpenzojnë kohë me politikanë, por në radhë të parë qytetare, i bëjmë thirrje botës politike që të japë një përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore, të kryer nga përfaqësuesit tanë”, kanë shkruar ato.
Nënshkrueset përfaqësojnë një spektër të gjerë të së majtës, duke përfshirë eurodeputeten, Manon Aubry, senatoren socialiste dhe ish-ministren e çështjeve të grave, Laurence Rossignol, Sandra Regol e partisë së Gjelbër dhe Hélène Bidard, nënkryetare e bashkisë së Parisit dhe një anëtare e Partisë Komuniste Franceze.
“Në Parlament, Bashki, Këshilla të Departamenteve dhe Rajoneve, zgjidhen burra që janë akuzuar, ndonjëherë të dënuar për përdhunim, sulm seksual, abuzim seksual të të miturve dhe dhunë në familje, pavarësisht retorikës për luftën kundër dhunës ndaj grave, pavarësisht paralajmërimeve tona të përsëritura”, kanë shkruar gratë, transmeton UBT News.
“Edhe një herë dhe në prag të zgjedhjeve vendimtare për vendin tonë, ne i bëjmë thirrje aparatit politik që të dëgjojë viktimat dhe të punojë drejt parandalimit”, shtuan ato.
Është koha që bota politike të “përballet me përgjegjësitë e saj” duke larguar “autorët e dhunës seksuale nga radhët e saj” dhe duke u kujdesur se çfarë lloj njerëzish promovon, shkruhet në letër mes të tjerash.
Që nga publikimi i letrës, hashtagu #MeTooPolitics është përhapur në Twitter. Disa përdorues të internetit kanë postuar mesazhe duke rrëfyer sulmet, që ata pretendojnë se janë kyer nga politikanë./UBTNews/