Një minutë heshtje është mbajtur për rreshterin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku, në takimin e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, ministrat e linjës dhe kryetarët e komunave.
Kurti u shpreh se ky takim i gjen me një lajm të mirë, atë për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030. Sipas tij, komunat do të kenë mundësi të përfitojnë shumë investime.
“Ky format na shërben që përmes diskutimit të kujdesemi për mirëqenien e qytetarëve. Po bëhet viti i dytë që rritja e buxhetit është me shifra të larta, e buxheti i vitit 2024 do të jetë 90 milionë euro më i lartë se viti paraprak. Granti i përgjithshëm për vitin e ardhëm është 284.7 milionë euro”, ka thënë Kurti.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu ka kritikuar qeverinë për qasjen komunikuese e po ashtu edhe për Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Tatimin në Pronë.
“Ne kryetarët e komunave kemi bindjen që duhet të ndryshojë qasja komunikuese. E tillë është edhe qasja për ligjin për vetëqeverisje lokale, për të cilën AKK u përjashtua nga konsultimi, duke cenuar kështu edhe autonominë lokale”, u shpreh ai.