UBT News

Granit Xhaka pjesë e një projekti filmik me Terence Hill për fushatën e Denner

Kapiteni i kombëtares zvicerane me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, është bërë pjesë e një projekti të veçantë marketingu të rrjetit të supermarketeve zvicerane Denner, në prag të Kampionatit Botëror të Futbollit.

Projekti me titull “The Socceritos” është realizuar si një film me metrazh të shkurtër, i cili ndërthur stilin e filmave western me temën e futbollit, duke sjellë një qasje kreative në fushatën promocionale të kompanisë.

Në film, përkrah legjendës së kinemasë Terence Hill, 87 vjeç, luajnë edhe yjet e futbollit zviceran Granit Xhaka dhe Zeki Amdouni, si dhe futbollistja Ana Maria Markoviq.

Sipas skenarit, tre personazhet udhëtojnë në Perëndimin e Egër për të mësuar banorët vendas të luajnë futboll, ndërsa përballen me një kriminel lokal që përpiqet ta ndalojë përhapjen e këtij sporti. Konflikti kulmon me një bast që vendos fatin e futbollit në qytet.

Fushata e Denner synon të lidhë historinë e filmit me identitetin e kompanisë si pionere e dyqaneve me çmime të lira në Zvicër, duke bërë një paralelizëm mes zhvillimit të futbollit dhe modernizimit të rrjetit të saj tregtar.

Xhirimet janë realizuar në Spanjë, në të njëjtat lokacione ku më herët Terence Hill ka xhiruar filmat e tij klasikë western. Projekti është drejtuar nga regjisori zviceran Reto Salimbeni dhe është prezantuar premierë në kinemanë “Corso” në Zürich, para se të shpërndahet në platformat digjitale të Denner.

Exit mobile version