Filiali i Bankës Kombëtare Tregtare në lagjen Dardania në Prishtinë është grabitur këtë mëngjes. Grabitja është kryer nga tre persona nën kërcënimin e armëve.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 08:40 është raportuar për një grabitje të ndodhur në filialin e një banke në lagjen Dardania në Prishtinë. Policia ka dalë në vendngjarje dhe nga informacionet e para dyshohet që grabitja është kryer nën kërcënimin e armëve nga tre persona të dyshuar”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti thotë se aktualisht po vazhdon ndërmarrja e veprimeve të nevojshme policore me qëllim të ndriçimit të rastit.